|
| |
|
|
Komunat e vogla me buxhete vetėm pėr paga |
 |
Pjesa dërmuese e komunave të vogla në Kosovës buxhetin e marrin nga qeveria, pjesën më të madhe për paga dhe shpenzime, ndërkaq vetëm një pjesë fare e vogël e tij ngelet për investime kapitale. Mungesa e kushteve elementare për jetesë në fshatra dhe qytete të vogla të Kosovës ka bërë që këto të zbrazën në vazhdimësi, me ç’rast popullata lëviz për t’u vendosur në qytetet më të mëdha të Kosovës
Problemet nuk do t'i zgjidhë as granti prej 1 milion eurosh
Menjëherë pas mbarimit të luftës së fundit në Kosovë, një numër i madh i kosovarëve u zhvendos nga fshatrat e djegura në qendrat urbane, të cilat atëherë ofronin kushte më të mira për jetë. Mirëpo, rritja kaq e shpejtë e banorëve në zonat urbane ishte barrë e rëndë për shërbimet, për infrastrukturën aktuale nëpër qytetet e ndryshme të Kosovës. Kjo barrë edhe sot është e pranishme, meqenëse munguan investimet. Madje, nuk u investua as në fshatra, ku mund të kthehet një numër i banorëve që gjenden rastësisht në qytet. Edhe më tej, fshatra të tërë në rrethinat e qyteteve të ndryshme të Kosovës, vazhdojnë të qëndrojnë të braktisur, por edhe shumë banorë të tjerë që jetojnë nëpër fshatra vazhdojnë t’i braktisin ato për t’u vendosur në qytete me shpresën dhe bindjen se jeta atje është më e mirë. Në fshatin Lez të Komunës së Prizrenit, dikur kanë jetuar më shumë se 30 familje. Ndërkaq, ka vite që ai fshat ka mbetur i shkretë. Banorët e tij, për shkak të kushteve tejet të rënda dhe shkatërrimeve që kanë pësuar nga lufta, nuk i janë kthyer më jetës në fshat. Situatë e njëjtë është edhe në fshatrat e Prishtinës dhe të Podujevës që shtrihen përgjatë kufirit me Serbinë. Mungesa e kushteve elementare për një jetë modeste nëpër fshatrat e Kosovës është shkaktar kryesore për braktisjen e tyre nga banoret. Atje është investuar pak, nuk është krijuar ndonjë parakusht që fshatari të bëhet fermer, prandaj ata nuk kanë më asnjë motiv të jetojnë në zonat rurale. Buxheti i vogël që kanë pasur komunat e vogla të Kosovës është një ndër shkaktarët kryesor të degradimit të fshatrave dhe qytezave të vogla të Kosovës. Qeveria e Kosovës, për pjesën dërmuese të komunave të Kosovës, ka ndarë para disa ditësh grante në vlerë prej rreth nëntë milionë eurosh, mirëpo kjo shumë as për së afërmi nuk mund t’u ndihmojë komunarëve për të përmirësuar jetën e vështirë nëpër qytete të vogla të Kosovës. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi thotë se ndarja e granteve për komunat e Kosovës është shprehje e vullnetit të mirë të qeverisë, një përpjekje për stimulimin e komunave të Republikës së Kosovës për rezultatet e treguara pozitive që kanë arritur në mbledhjen e tatimit në pronë. “Të gjitha të hyrat, që qytetarët e Kosovës i paguajnë për tatimin në pronë, përdoren për përmirësimin e shërbimeve komunale dhe për zhvillimin e infrastrukturës, siç janë: rrugët, shkollat, qendrat rekreative kulturore dhe sportive, parqet, si dhe të drejtën shtesë që shkollat dhe spitalet do ta kenë për përdorimin e mjeteve vetjake”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Për komunat e vogla është e nevojshme infrastrukturë e re
Komuna e Malishevës, llogaritët në mesin e komunave më të varfra në Kosovës. Periudha e pasluftës në këtë komunë ka sjellë ndryshime të mëdha, mirëpo aty mbetet edhe shumë punë për t’u bërë. Isni Kilaj, kryetar i Komunës së Malishevës thotë se në mandatin e tij pret ndërtimin e disa shkollave të reja, por edhe renovimin dhe zgjerimin e atyre ekzistuese. “Shumë fshatra kanë nevojë për ujësjellës e rrjete kanalizimi, disa të tjerë për asfaltim të rrugëve dhe shumë prej tyre për rrjet të ri elektrik. Malishevasit kanë nevojë të domosdoshme për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës dhe të një palestre sportive të fushës së futbollit të madh si dhe të fushave sportive në oborret e shkollave”,thotë ai. Kilaj thotë se ai ua ka premtuar qytetarëve përmbushjen e pjesës më të madhe të këtyre kërkesave gjatë mandatit dyvjeçar. Mirëpo, siç duket, kryetari i ri i Komunës së Malishevës është tejet i sinqertë në deklaratat e tij. Sipas tij, papunësia është një ndër problemet më të mëdha të komunës që ai e drejton, kurse mandati i tij si kryetar komune nuk ofron kohë të mjaftueshme për zbutjen e saj. “Mundësia apo interesimi për të hyrë kapitali i huaj në Kosovë ishte i vogël, mbështetje nga institucionet ndërkombëtare nuk kishte dhe papunësia erdhi duke u rritur”,shtoi ai. Edhe Deçani, Drenasi, Klina, Kamenica, Vitia, Dragashi e komuna të tjera të vogla të Kosovës hyjnë në grupin e komunave të cilat, për të realizuar projektet e tyre, kanë buxhet jashtëzakonisht të kufizuar. Komuna e Dragashit, e cila kufizohet me Maqedoninë dhe Shqipërinë, është pa dyshim komuna më e varfër në Kosovë. Thuajse i tërë buxheti që merr kjo komunë nga shteti shpenzohet për paga dhe mallra, vetëm një pjesë fare e vogël e tij destinohet për investime kapitale. Pas luftës, me ndihmën e donatorëve në këtë komunë janë realizuar disa projekte të vogla, por duhet bërë shumë më tepër. Pozita gjeografike, terreni, klima, hidrografia, flora dhe fauna janë pasuritë me të çmueshme me të cilat posedon kjo komunë, por, fatkeqësisht, deri më tash këto janë shfrytëzuar fare pak, apo aspak. Ish-kryetari i Komunës së Dragashit, Halim Shemsidini, deri në kohën kur ishte kryetar i kësaj komune, ishte munduar që në këtë komunë të varfër të ndërtojë një qendër skijimi, mirëpo vonesa e zgjidhjes së statusit final të Kosovës ka qenë një ndër arsyet që investitorët e huaj kanë nguruar ta derdhin kapitalin e tyre në Kosovë. Mungesa e një strategjie qeveritare ka bërë që, deri më tash, qendrat kryesore të Kosovës të popullohen me qytetarë, ndërkaq fshatrat dhe qytetet e vogla të vazhdojnë të mbesin të pavolitshme për të bërë një jetë normale. Agim Zajmi, këshilltar i lartë i zëvendësministrit të Bujqësisë thotë se një strategji qeveritare fshatrat dhe qytetet e vogla i bën atraktive për qytetaret e vendit. “Para luftës Kosova ka eksportuar lëngje, kurse tash nuk prodhon asnjë litër lëng me fruta vendorë”, thotë ai. Zbrazja e fshatrave dhe e qyteteve të vogla, si pasojë e kushteve jo të mira për jetë, ka bërë që kryeqyteti, por edhe qytete tjera më të mëdha të mbipopullohen, duke e vështirësuar në masë të madhe infrastrukturën e shërbimeve publike në vend. Rrjeti shpërndarës i ujësjellësit regjional “Prishtina” është projektuar për 300 mijë banorë, mirëpo, aty janë të kyçur 500 mijë veta. Drejtori gjeneral i ujësjellësit “Prishtina” Skënder Bublaku, thotë se rrjeti është i stërngarkuar. Edhe kjo është njëra nga arsyet pse uji shpërndahet me orar të caktuar, meqenëse nuk ka për të gjithë. Bublaku thotë se problemi mund të zgjidhet vetëm me ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit për rreth 800 mijë konsumatorë. Projekti është gati, por s’ka para. “Implementimi i tij kushton rreth 80 milionë euro. Nëse gjenden mjete, atëherë është e natyrshme që edhe furnizimi me ujë të jetë më i mirë”, tha ai. Bublaku thotë se momentalisht, ujësjellësi ”Prishtina” ka rezerva të ujit vetëm për pesë muaj. Situatë e njëjtë është edhe në shërbimet publike në Pejë, Gjilan, Mitrovicë, Ferizaj, Prizren.
Yll KRASNIQI
Lartė | Prapa
|
 |
| AKM-ja vendos tė zhbllokojė paratė e Fondit tė Privatizimit |
 |
Më shumë se 8 vjet pas ngrirjes së parave të fituara nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit tashmë ka ndërruar mendje. Ky institucion ,që për detyrë ka mbikëqyrjen e ndërmarrjeve shoqërore dhe atyre publike, ka vendosur që t’i zhbllokojë paratë e mbajtura në Fondin e Privatizimit. Zhbllokimi i këtyre parave është paraparë që të shërbejë për kryerjen e obligimeve të kreditorëve të ligjshëm ndaj të cilëve ndërmarrjet shoqërore kanë mbetur borxh. Mirëpo zyrtarët e këtij institucioni kanë thënë se pritet që shkurti të jetë muaji kur mund të ndahen paratë e para nga Fondi i Privatizimit, në të cilin deri më tani janë mbledhur mbi 380 milionë euro. Sipas tyre komisionet po merren me përcaktimin e kreditorëve të ligjshëm, por nuk kanë fshehur se në mesin e pretenduesve për të marrë paratë janë edhe kërkesat e ardhura nga Serbia. “Përderisa ende jemi duke u marrë me kërkesat e mbledhura nga Beogradi – një proces që AKM-ja është duke u munduar ta kompletojë sa më shpejt që të jetë e mundur, me gjasë nuk do të propozohet ndonjë (apo asnjë) shpërndarje e mjeteve para muajit shkurt të vitit 2008”, janë përgjigjur zyrtarët e AKM-së. Megjithatë, sipas tyre AKM-ja planifikon që shpërndarjen e mjeteve ta bëjë më vonë gjatë vitit 2008, por kur dhe për cilat ndërmarrje, në këtë fazë, është e vështirë të thuhet. AKM-ja ka thënë se të dhënat në lidhje me numrin e kreditorëve të pranuar për secilën ndërmarrje, nuk janë në dispozicion dhe se koha për mbledhjen, analizimin dhe përmbledhjen e këtyre të dhënave do të vijë atëherë kur secili likuidim i ndërmarrjes do të arrijë fazën e vet përfundimtare dhe kur të bëhet identifikimi i kërkesave të pranuara. “Përderisa çdo likuidim ndërmarrjeje është unik, atëherë nga disa likuidime të ndërmarrjeve sipas tyre priten të paguhen në tërësi të gjitha kërkesat, ndërsa te likuidimet e tjera mund të paguhet vetëm një pjesë (më pak 100%) për secilën kërkesë”.
Ish-zëvendësdrejtori i AKM-së, Ahmet Shala që tash drejton Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave në Qeverinë Thaçi ,thotë se ndarja e parave për kreditorët e ligjshëm do të shkojë sipas rregullores 2005/48 të UNMIK-ut.“Mbase te ndonjë ndërmarrje mund të jenë shumë, por secila ndërmarrje do të trajtohet veç e veç .Mund të ndodhë që në ndonjë ndërmarrje të mos ketë fare borxhe(0 borxhe) ,por ka edhe nga ato që kanë shumë borxhe. Varësisht nga shkalla e borxhit,pra duke u nisur nga ndërmarrja me më shumë borxhe do të bëhet edhe kthimi i tyre ,kthimi i borxheve. AKM-ja ka filluar ta trajtojë këtë çështje sipas një plani kohëzgjatja e të cilit është deri në shkurt. Kështu, për dy-tri ndërmarrje në mbledhjen e Bordit të AKM-së do të shqyrtohet kthimi i parave”, është shprehur Shala ,duke shtuar më tej se sa u përket parave të tjera, të mbetura pas kryerjes së obligimeve ndaj kreditorëve , qeveria dhe UNMIK-u duhet që të përcaktojnë se ku do të shkojnë këto para, por gjasat janë që ato të mbesin në buxhet.
Zyrtarët e lartë të AKM-së kanë bërë të ditur se janë mbi 100 komisione, të cilat do të shqyrtojnë çdo kërkesë të bërë deri më tani. E derisa AKM-ja shprehet optimiste në ndarjen e këtij fondi për kreditorët, një gjë të tillë nuk e beson edhe anëtari i Bordit të AKM-së ,i cili vjen nga radhët e punëtorëve. Në një bisedë të shkurtër për revistën “Valuta”, kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi,këtë plan e ka cilësuar të njëjtë me planet tjera të hartuara për mënyrën e zhbllokimit të fondit ,plane që janë nisur dhe kanë dështuar. Edhe këtij plani mund t’i ndodhë e njëjta gjë . “Ne shumë herët e kemi bërë me dije se 80%-shi i fondeve duhet t’u takojë punëtorëve kosovarë të larguar nga puna gjatë periudhës ‘90-‘99. Ato ligje të aplikuara janë quajtur diskriminuese nga ana e organizatave ndërkombëtare. Meqë është pranuar stazhi për shpërndarjen e 20%-shit, punëtorëve t’u shpërndahet edhe 80%, por nëse ka argumente. Rregullorja 2003/13 duhet të praktikohet për të gjithë, punëtorëve është dashur t’u jepet më herët, por rregullorja të zbatohet për të gjithë. Kuvendi është dashur të nxjerrë një vendim për të hedhur poshtë ligjet diskriminuese ,sepse ,në mungesë të këtij vendimi, mund të ndodhë që punëtorët të mos numërohen në rend të parë”, ka thënë Arifi. Çështja e aktualizimit të parave të fondit ka nisur që prej më shumë se dy vjetësh. Rasti ka qenë me kompani nga Serbia, Greqia dhe Bullgaria, të cilat pretendonin se gjiganti “Trepça” u ka borxh këtyre ndërmarrjeve, megjithatë pretendimet ndaj borxheve vazhdojnë të mbesin të bllokuara pas një vendimi të marrë nga kryeadministratori i Kosovës , Joachim Ruecker.
Ku duhet të shkojnë paratë e mbetura të fondit...?
Driton Tali, ekspert i ekonomisë,ka thënë se Fondi i Privatizimit ka mundur të zhbllokohet për shumë arsye ,duke filluar nga fakti se ato para janë fituar nga shitja e aseteve të Kosovës. “Po ashtu edhe nga fakti se ekonomia kosovare ka shumë nevojë për shkak se si rezultat i politikave makroekonomike jo të qëlluara ,nga rrjedhja qarkore e të ardhurave kombëtare, ka kohë që paraja del jashtë”, ka thënë Tali. Sipas tij, me paratë e fondit do të mund të orientoheshim kah prodhimi, me theks të posaçëm te bujqësia dhe industria e lehtë, ku ndërmarrësit ,me projektet e tyre konkrete, nëpërmjet bankave komerciale do të konkurronin për kreditë afariste. Tali thotë se mundësia për ndarjen e parave të fondit të mes Kosovës dhe Serbisë as që do të duhet marrë parasysh. “Derisa Kosova nuk e merr pavarësinë kjo mundësi nuk guxon të merret fare parasysh. Vetëm pas pavarësimit të saj ,ajo dhe Serbia ,duhet që të ulen të diskutojnë dhe negociojnë borxhet e secilës palë, gjithmonë duke pasur parasysh kohën e aparteidit dhe luftës. Derisa nuk ndodh një gjë e tillë “hisja e Serbisë” nuk duhet të futet në agjendë”, mendon eksperti i ekonomisë Driton Tali.
Ndërkaq eksperti tjetër, Flamur Keqa ,mendon se paratë që janë plasuar jashtë mund të angazhohen në Kosovë, mirëpo së pari duhet bërë një studim. “Mendoj se nga këto para qeveria mund të krijojë një bankë për zhvillim ose bankë agrare. Por, së pari duhet të bëhet studimi i fizibilitetit në mënyrë që ai të rregullohet në praktikë. Unë mendoj që në Kosovë ka mungesë projektesh. Andaj bizneset duhet t’i qasen më mirë situatës. Kur ka projekte, bankat mund të bëjnë më shumë. Megjithatë, kjo çështje kërkon punë, përpjekje dhe profesionalizëm në mënyrë që projektet të dalin të mira, sepse mosnxjerrja e projekteve të mira do të kishte efekte negative”, shprehet Keqa. Ai thotë se nuk beson që ky fond mund të mbetet pa mjete për t’u kthyer kreditorëve. “Ka pretendime joreale për fondet dhe nga kjo them se duhet të vlerësojnë mjaft mirë nëse ata kreditorë janë realë ,apo janë duke manipuluar në forma të ndryshme”, shprehet Keqa.
Plani për bankat mbeti në letër
Që nga shkurti i vitit që e lamë pas, kur edhe është dhënë drita e gjelbër për dhënien e një pjese të mjeteve të Fondit të Privatizimit bankave në Kosovë ,deri më tani nuk është bërë asnjë lëvizje. Ndonëse nga muaji shkurt kur Zyra Ligjore e OKB-së në New York e aprovoi planin për fillimin e punës së komisionit për përcaktimin e kushteve, megjithatë ende nuk është hapur tenderi për ndarjen e një pjesë të fondit të privatizimit për bankat në Kosovë. Zyrtarët e AKM-së thonë se po presin një përgjigje për Termat e Referencës nga Zyra Ligjore e UNMIK-ut. “AKM-ja ka bërë një draft të Termave të Referencës për shpërndarjen e fondit tek bankat lokale, të cilat janë të aprovuara nga Bordi i Drejtorëve të AKM-së, dhe për momentin është duke pritur konfirmimin nga Zyra Ligjore e UNMIK-ut për të ditur nëse Termat e Referencës janë të pranueshme”, janë përgjigjur zyrtarët e AKM-së. Zyrtarët e këtij institucioni kanë thënë se AKM-ja nuk mund të parashohë ose të spekulojë se cilat banka mund apo nuk mund t’i plotësojnë kriteret. “Çështja tani është në duart e Zyrës Ligjore të UNMIK-ut, dhe atëherë, pasi të bëhet aprovimi i Termave të Referencës, tenderi do të publikohet”. Kohë më parë drejtuesit e bankave në Kosovë kanë mirëpritur hapjen e tenderit për ndarjen e fondit të privatizimit në mënyrë që të marrin pjesë në këtë tender. Në bazë të planeve është paraparë që shuma totale që do të depozitohet në banka do të jetë 20%-shi i totalit të fondit. Ne rast se disa banka i plotësojnë kriteret, atëherë banka që do të ofrojë kamata më të volitshme, do të ketë të drejtë për përqindje më të madhe nga fondi, por në asnjë moment kjo përqindje nuk do të jetë më shumë se 20%-shi i depozitave të asaj banke.
Trim DUSHKAJ
Lartė | Prapa
|
|
 |
|
|