Me rritjen e aktiviteteve tė ndėrmarrjes, paraqitet nevoja e rritjes sė furnizimeve dhe kėrkesave tė blerėsve, me kėtė edhe nevoja e financimit tė tyre. Me rritjen e shitjeve dhe grumbullimi i parave nga arkėtimi i kėrkesave mundėsohet shuarja e kėtyre burimeve tė financimit.
Financimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme paraqet një nga çështjet më të diskutuara. Ndërmarrja varësisht nga fazat e zhvillimit të saj ka nevojë për burime të ndryshme financiare. Në fazën e zanafillës, ndërmarrja financohet nga vet themeluesi, familja, miqtë dhe metodat tjera kreative për sigurimin e mjeteve financiare, që në literaturën bashkëkohore njihen si “3F money”. Ashtu siç rritet ndërmarrja e vogël sipërmarrëse, rritet edhe nevoja për kapital plotësues. Në këtë rast investitorët joformal, të a.q. “Business angels”, konsiderohen si burim kryesor i financimit. Financat nga tregu zyrtar i risk-kapitalit hyjnë në fazat e mëvonshme të zhvillimit, ku si burime të mundshme mund të konsiderohen personat privat, fondet pensionale dhe kompanitë e sigurimit, të cilat nuk i miratojnë vetë vendimet për investime, por punojnë përmes ndërmjetësve profesional, përkatësisht nëpërmjet firmave për risk-kapital. Kështu, aktorë të ndryshëm në mënyrë sukcesive plotësohen midis vetes, reciprokisht me zhvillimin e ndërmarres. Hyrja e pjesëmarrësve të rinj nuk do të thotë se pjesëmarrësit e mëparshëm zhduken, por mbeten në prapavijë si partnerë më shumë ose më pak të heshtur.
Kursimet e themeluesve, të afërmve dhe miqve
Shumica e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, në fillim financohen nga akumulimi i kursimeve të themeluesve të tyre. Ky burim i financimit, përveç që është më i lirë në krahasim me burimet tjera është shumë i rëndësishëm për tërheqjen e fondeve të jashtme, si për shembull nga bankat komerciale, investitorët privat ose risk-kapitalistët zyrtarë. Kursimet e themeluesve, të investuara në ndërmarrjet e reja paraqesin një lloj garance për burimet tjera. Disa investitorë thonë se themeluesit (sipërmarrësit) duhet të investojnë tërë pasurinë e tyre në ndërmarrjen e re, sepse vetëm atëherë do t’i bindin të tjerët se ata vërtet besojnë në ndërmarrjen, se do të punojnë me mund të madh dhe kështu sukseset nuk do të mungojnë. Një risk-kapitalist këtë e komenton kështu: “Duhet ta shoh një sipërmarrës, i cili i ka investuar mjetet e veta, qofshin ato financiare ose materiale, në ndërmarrjen e re. Vetëm atëherë do të jem i sigurt se sipërmarrësi do të vrapoj t’i zgjidh problemet e ndërmarrjes, e jo të vrapojë deri në zyrën time dhe t’mi hedh çelësat e ndërmarrjes së tij”. Përveç vetë themluesve, anëtarët e familjes, të afërmit dhe miqtë paraqesin burim të mirë të mjeteve financiare. Ata i investojnë mjetet e tyre në ndërmarrjen e re, në bazë të relacioneve të mira që i kanë me themeluesit. Shuma që e investojnë anëtarët e familjes, të afërmit dhe miqtë është relativisht e vogël në krahasim me nevojat e ndërmarrjes së re të vogël. Ndonëse gjenerimi i mjeteve nga familja dhe miqtë është relativisht lehtë, ndonjëherë mund të paraqiten edhe disa situate negative. Disa anëtarë të familjes, por edhe miqtë, me vetë faktin që kanë investuar në ndërmarrjen e re (mbase është një shumë e vogël mjetesh), mendojnë se me këtë ata në mënyrë automatike kanë fituar të drejtën që drejtpërdrejt të “përzihen” në biznes, me çka shkaktojnë efekte negative në shitje dhe profit. Me qëllim që të shmangen këto probleme, sipërmarrësi, detyrimisht qartë duhet t’i përcaktoj të drejtat dhe obligimet eventuale të bashkëfinancuesve. Gjithashtu, shumë me rëndësi është që, sipërmarrësi prej në fillim duhet t’i informojë anëtarët e familjes dhe miqtë për aspeketet pozitive dhe negative të investimit në ndërmarrjen e re, me qëllim që, nëse eventualisht dalin rezultate negative (financiare) nga puna e ndërmarrjes, të ruhen lidhjet farefisnore dhe miqësore.
“Business angels”
“Business angels”, si nocion paraqitet kah fundi i shekullit XIX, ku disa investitorë privat shpëtuan teatrot e Broadway-it nga bankroti. Këta investitorë financuan produksionin e shumë shfaqjeve teatrale, mjuzikleve etj. Thjeshtë ishin të motivuar nga dashuria ndaj teatrit, muzikës dhe artit në përgjithësi, si dhe nga mundësia e të qënit në shoqëri me aktorë, regjisorë e producentë të njohur. Përpos teatrove të Broadway-it, shumë kompani, sot me famë botërore, si p.sh. Bell Telephone, Ford, Amazon.com, Body Shop, Go2Net, në fillimin e tyre ishin të ndihmuara nga ky tip investitorësh. “Business angels” janë investitorë privat, shumë të pasur (milionerë), të cilët investojnë në ndërmarrje të vogla dhe të mesme, të cilat nuk janë të listuara në bursë, kryesisht në fazat e hershme të zhvillimit të tyre me qëllim që t’i ndihmojnë sipërmarrësit e rinj në realizimin e caqeve të tyre, si dhe për realizimin e fitimeve për vete. “Business angrels” si burim joformal, paraqesin forcë të rëndësishme në financimin e ndërmarrjeve të sapo formuara. Rëndësia e tyre rritet edhe mëtej me faktin që kontributi i tyre përbëhet edhe nga lloji i aftësive të ndryshme menaxheriale dhe sipërmarrëse. Për rolin e këtyre burimeve të financimit, Dejvid Bërç në punimin e tij “Job Creation in America: How our Smallest Companies Put the Most People to Work” thotë: “Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vit themelohen 800.000 biznese të reja. Nëse të gjithë këtyre, mesatarisht, për fillim u nevoiten nga 25.000 dollarë, kjo do të thotë se vetëm për këtë qëllim në vit nevojiten 20 miliardë dollarë. Gjithashtu, çdo vit 300.000 biznese të reja fillojnë shpejtë të zhvillohen. Nëse edhe për zhvillimin e tyre janë të nevojshme nga 25.000 $, kjo do të thotë se në SHBA sigurohen përafërsisht 28 miliardë $, kapital të ri për themelimin ose për ekspansion të bizneseve të reja. Bankat dhe institucionet tjera financiare sigurojnë 4 miliardë $, risk-kapitali formal siguron 2 miliardë $. Kjo do të thotë se 22 miliardë $ sigurohen nga tregu joformal: nga kursimet personale, nga miqtë, të afërmit, nga disa grupe joformale të risk-kapitali, të përbërë shpeshherë nga mjekë, avoketë, disa biznesmenë dhe kështu me radhë, të cilët i kanë mjetet e veta dhe të cilat do t’i kishin investuar në ndonjë biznes”. Si rezultat i raporteve reciproke midis ofertës dhe kërkesës për kapital shtesë, sipërmarrësi ballafaqohet me dy hendeqe financiare. Hendeku i parë financiar, paraqitet kur ndërmarrja e vogël, e cila kërkon mjete duhet t’i identifikojë investitorët, pasi që vetë sipërmarrësi ta përkrahë ndërmarrjen me kapital themelues dhe do t’i mbulojë nevojat financiare për të krijuar prototip dhe studimin e strategjive të ndryshme të marketingut. Në këtë periudhë “Business angels” luajnë rol kyç si investitorë. Ky hendek, në SHBA, sillet rreth margjinave prej 100.000 – 2.000.000 dollarë. Hendeku i dytë financiar paraqitet, atëherë kur mjetet financiare të “Business angels” nuk do të jenë të mjaftueshme, pra kur do të jenë të nevojshme investime më të mëdha për zhvillimin e ndërmarrjeve, shpesh herë duke i fokusuar në investime më të mëdha në marketing. Në këtë fazë, përveç “Business angels”, risk-kapitalistët zyrtar shpeshherë hyjnë si financierë në ndërmarrje. Hendeku i dytë sillet rreth margjinave prej 2.000.000 – 5.000.000 dollarë. Tregu i “Business angels”-ave relativisht është pjesë e padukshme e tregut të përgjithshëm të risk-kapitalit. Ai përbëhet nga individë, të cilët financiarisht janë të fuqishëm, shpesh herë milionerë ose sipërmarrës të suksesshëm. Në fazën fillestare investimet nga “Business angels” konsiderohen si “smart money” sepse shumica e investimeve shoqërohen nga lloje të ndryshme të përkrahjes jofinanciare. “Business angels” sigurojnë ndihmë në sfera të ndryshme, si p.sh. të formimit të strategjisë së biznesit, hulumtimin e mjeteve plotësuese financiare, rekrutimin e personelit kyç, dizajnimin e planeve dhe modele të biznesit, inkuadrimin e sipërmarrësve në rrjetet profesionale etj.
Risk-kapitali zyrtar
Nocioni ”risk-kapital” rrjedh nga vetë natyra dhe karakteristikat e projekteve të investitorëve në të cilat investohet kapitali. Për këtë arsye pjesa më e madhe e projekteve të investitorëve karakterizohet me një shkallë të lartë të rrezikut dhe kapitali që investohet në të cilësohet si i “rrezikshëm”. Risk-kapitali formal nënkupton ekzistimin e dy entiteve: investitorëve institucional, si burime të risk-kapitalit ku bëjnë pjesë fondet pensionale, kompanitë e sigurimit, individë të ndryshëm, bankat investuese, korporatat etj., dhe kompania për risk-kapital, e cila i menaxhon këto fonde, gjegjësisht i investon në ndërmarrjet e reja, të cilat karakterizohen me një rritje të shpejtë, për të cilat mendohet se posedojnë potenciale të fuqishme zhvillimore, të cilat nuk janë të listuara në bursë, prandaj nuk janë me interes për bankat. Risk-kapitali formal shpeshherë investohet në ndërmarrjet e vogla të cilat merren me studime shkencore dhe aplikimin e teknologjisë më bashkëkohore, në të cilat investimi karakterizohet me një rrezik të madh, dhe nëse arrijnë një penetrim të suksesshëm në treg mund të realizojnë shkallë të lartë të profitit në krahasim me ndërmarrjet tjera. Në vitet shtatëdhjetë si ndërmarrje me rrezik të madh për investim konsideroheshin ndërmarrjet të cilat merreshin me prodhimin dhe zhvillimin e kompjuterëve. Si karakteristika të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat dallohen me një shkallët të lartë të riskut të investimit janë:
- Disponimi me një potencial të fuqishëm të rritjes dhe zhvillimit;
- Orientimi në rritjen e shpejtë dhe zhvillimin e madh të prodhimit për një periudhë të shkurtër kohore;
- Paraqitja në treg me prodhime krejtësisht të reja ose prodhime të cilat kanë pësuar modifikime.
Risk-kapitalistët formal investojnë shuma të mëdha të kapitalit në ndërmarrje, të cilat tanimë janë zhvilluar, përkatësisht e kanë tejkaluar pjesën e rrezikshme të ciklit të tyre jetësor. Në këtë mënyrë, risk-kapitalistët i përkrahin sipërmarrësit vetëm atëherë kur janë të bindur se biznesi në shkallë të caktuar është treguar i suksesshëm, gjë e cila më së shpeshti shihet përmes shifrave pozitive të shitjes dhe profiteve. Ata, thjeshtë janë “pjesë” e një investimi të caktuar në një periudhë prej 3-5 vjeçare. Por, duhet të theksohet se të gjitha bizneset nuk janë të qëlluara për risk-kapitalistët. Sipas disa studimeve në SHBA risk-kapitalistët shqyrtojnë 100 deri më 200 projekte para se t’i investojnë paratë, të cilat i kanë planifikuar për investim. Ekzistojnë disa lloje të kompanive të cilat punojnë me risk-kapital. Ato mund të jenë kompani në pronësi të shtetit, të cilat disponojnë shuma të mëdha të kapitalit dhe një gamë të gjerë të investimeve. Kështu p.sh. në Britani të Madhe ekziston program shtetëror për inicimin e teknologjive të reja, i cili është formuar më 1983 me qëllim që tu ndihmojë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në zhvillimin e tyre. Numër i madh i kompanive të cilat punojnë me risk-kapital janë private. Burime kryesore të kapitalit për këto kompani private janë fondet pensionale, kompanitë e sigurimit, korporatat e mëdha dhe entet e ndryshme, ose mund të jenë banka investuese të cilat e bashkojnë kapitalin e tyre dhe formojnë institucione për investime në projekte që karakterizohen me shkallë rreziku të moderuar.
Financimi përmes kredive bankare
Pasi të kalohen fazat fillestare të rrezikshme të ndërmarrjes, bankat komerciale, përkatësisht kreditë e tyre paraqesin formë të rëndësishme të financimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Për këtë kredi karakteristike është ekzistimi i një automatizmi në likuidimin e huasë gjatë punës së ndërmarrjes. Me rritjen e aktiviteteve të ndërmarrjes, paraqitet nevoja e rritjes së furnizimeve dhe kërkesave të blerësve, me këtë edhe nevoja e financimit të tyre. Me rritjen e shitjeve dhe grumbullimi i parave nga arkëtimi i kërkesave mundësohet shuarja e këtyre burimeve të financimit.
Si lloje më të rëndësishme të kredive bankare llogariten:
- kredia me pagesë fikse
- linja kreditore
- revolving-aranzhmani i kreditimit
Te kredia me pagesë fikse, debitori (sipërmarrësi) bën pagesën kreditorit (bankës) me rregull në mënyrë periodike (në muaj, në tre muaj dhe vjetore). Pagesat në këto kredi përfshijnë në vetë kamatën edhe kryegjënë, kështu që në momentin e skadimit të afatit për kthimin e kredisë, ajo shlyhet tërësisht. Hua të zakonshme të këtij lloji janë kreditë hipotekare dhe kreditë e konsumimit.
Linja kreditore është kontratë midis bankës komerciale, me të cilën caktohet shuma e kreditit, shumë të cilën banka ia lë në dispozicion ndërmarrjes për një periudhë të caktuar ( zakonisht një vit). Me kontratën për linjën kreditore banka nuk e garanton kredinë, por vetëm deklaron se, nëse disponon me mjete të mjaftueshme, do t’i mundësojë ndërmarrjes të marrë borxh në një shumë të caktuar, në cilindo qoftë moment të periudhës së paraparë.
Revolving - aranzhmani i kreditimit, për dallim nga linja kreditore, banka komerciale, shumën e kontraktuar është e detyruar t’ia lë në dispozicion shfrytëzuesit (sipërmarrësit), pa marrë parasysh atë se ka ose nuk ka mungesë të mjeteve. Revolving kredia mund të zgjas edhe më shumë se një vit dhe për shkak të shumës së mjeteve të garantuara është më e shtrenjtë se linja kreditore.
Përveç përkrahjes financiare, bankat ju ofrojnë dhe ju sigurojnë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme edhe përkrahje këshillëdhënëse. “Funksioni këshillëdhënës i bankave mund të konsiderohet edhe më i rëndësishëm se edhe vetë mjetet financiare që i lejojnë. Ato janë me ndërmarrjet gjatë tërë jetës së tyre, në zhvillimin dhe rritjen e ndërmarrjes dhe posaçërisht në fazën e ndërkombëtarizimit”. Shërbimet këshillëdhënëse të bankave përfshijnë analizë ekonomike, konsalting në investime dhe financim, vlerësimin e letrave me vlerë, konsaltingun gjatë zbatimit të falimentimit dhe të tjera.
Ofertat iniciale publike
Në fazat e mëvonshme të zhvillimit, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme pasi që bëhen të njohura në treg , zgjerojnë veprimin e vet jashtë vendit, ofrojnë produkte, të cilat janë të njohura dhe shumë të kërkuara në treg, ato tek mjetet plotësuese financiare mund të arrijnë edhe përmes të ashtuquajturave oferta iniciale publike (Initial Public Offering-IPO). Oferta publike iniciale paraqet emisionin e parë të letrave me vlerë të një firme. Në rastin e një oferte publike për shitje, oferta fiton publicitet të gjërë dhe me këtë rast ftohen investitorët të bëjnë kërkesë për letra me vlerë. Në SHBA nëse letra e re me vlerë u është shitur më shumë se 25 blerësve, ajo atëherë bëhet emision publik i letrave me vlerë. Ofertat iniciale publike, përveç sigurimit të kapitalit plotësues, sigurojnë edhe mundësinë e tërheqjes së huave plotësuese financiare. Nga ana tjetër, ekzistojnë faktorë të shumtë lidhur me ofertat publike që i bëjnë ato të padëshirueshme. Me partnerët (aksionarët) e ri publik, qëllimet e pronarit mund të kenë rol të paqartë në krahasim me ato të partnerëve të ri ose aksionarëve. Më tej, rregullat e informimit, paraqitja e raportit, nënkupton zbulimin e informacioneve të hollësishme personale dhe financiare.
Mr. Veland RAMADANI
Lartė | Prapa
|